Mittwoch, 19. August 2015

Lufta e Ferizajt e 2 dhjetorit 1944

Nga Rrahim Sadiku

Me dështimin e mbrojtjes së tërësisë territoriale që kishin tokat shqiptare nga viti 1941, u pa se shumicës së këtyre tokave po u afrohej robëria e re dhe të gjithë ata që e donin atdheun, seriozisht e guximshëm, nisën të mendonin për të vazhduar rezistencën dhe për të vendosur realitet të ri në terren. Llogaritet se atë kohë, vetëm në territorin e Kosovës, ishin të armatosur rreth 100 mijë shqiptarë dhe po të mund të organizohej një shtab unik ushtarak për ta, do të ishin një forcë e madhe mbrojtëse për vendin dhe një siguri për fitore në betejat që priteshin. Por, mungesa e një strategjie kombëtare, vërshimi i ideologjisë komuniste dhe veprimtaria e hapur dhe e fshehtë e armiqëve të shqiptarëve, kishin bërë që kudo të kishte ndarje, bajraktarizëm, disfatizëm dhe dorëzim para realiteteve të reja që po krijoheshin kudo në botë e edhe në Ballkan. Këtë kohë e shfrytëzuan më së miri forcat politike dhe ushtarake të popujve sllavë, që u bashkuan në një front unik dhe që përqanë e përvetësuan një pjesë të popullit shqiptar e të atij grek,të cilët me vite e dekada më vonë e paguan këtë përqarje e bashkim me armikun.

Forcat sllave në përgjithësi dhe ato serbe në veçanti, tashti të shumtën të veshura me petkun komunist, edhe pse pjesën më të madhe të vendin e vet e kishin ende nën thundrën e nacistëve, ia mësyen Kosovës me forca speciale, që me fillimin e vjeshtës së vitit 1944, sepse nuk donin që aty të jetësohej fitorja dhe të kompaktësohej shtetësia shqiptare. Prandaj liridashësit shqiptarë dolën në mbrotje të kufirit lindor dhe verilindor të Kosovës dhe penguan hyrjen e forcave serbe për muaj të tërë, duke zhvilluar beteja të njëpasnjëshme dhe duke e shtuar besimin në popull se qëndresa do të kishte sukses. Mirëpo, nga mesi i tetorit dhe në fillim të nëntorit, forcat shqiptare që bënin rezistencë në kufi pësuan plasaritje dhe një pjesë e ushtarëve të rregullt të Ushtrisë Shqiptare dhe e shtabeve udhëheqëse u tërhoq nga kufiri dhe pas pak u shpërndanë edhe vullnetarët nga e gjithë Kosova, sepse nuk kishin përkrahje institucionale e ishin lënë në mëshirë të kohës e të ngjarjeve që po vinin. Por, një pjesë e madhe e tyre kishte vendosur ta vazhdonte rezistencën, duke u mbështetur në rajonin prej nga ishin. Kështu, në anën e Anamoravës dhe të pjesës jugore të rrafshit të Kosovës, me në dorë kishin qëndruar me qindra luftëtarë, të cilët kishin në ballë të tyre Mulla Idriz Gjilanin, Hysen Tërpezën, Adem Selimin (Gllavicën), Ibrahim Kelmendin, Luan Gashin, Abdyl e Mustafë Hencin, Beqir Bajramin, Hamdi e Shemsi Mramorin, Selim Maçastenën, Januz Bajçinocin, Qazim Llugaxhinë, Ismail Goranin, Rexhep Okllapin, Bahtir Dumnicën, Avdyl Durën, e shumë të tjerë. Prandaj forcat partizane-çetnike serbe, që filluan të hyjnë në Kosovë, nuk e paten të lehtë depërtimin në këto troje. Megjithatë, armiqtë e shqiptarëve arritën të pushtonin qytetet e KOSOVës njërin pas tjetrit dhe menjëherë filluan represalje të shumta e patrim etnik të secilë pëllëmbë të Kosovës. Secila ditë sillte lajme për vrasje masive, torturime të papara e grabitje të shqiptarëve. Shkatërroheshin sidomos familjet e atyre që kishin qëndruar me armë në dorë dhe ato familje që kishin autoritet në popull që kishin bërë vepra atdhetare.
 

Luftëtarët ishin të fillonin aksione të armatosura kundër pushtuesit dhe nuk kishte force që t’i frenonte ato. Prandaj u mblodh udhëheqja e tyre në malet mbi Gjilan dhe u diskutua situata. Shumë nga krerët e forcave të armatosura ishin për kryerjen e një aksioni të madh dhe sa më parë, që njerëzit të kishin me çka të merreshin dhe që të mos kishte humbje të besimit dhe dorëzim para vështirësive që ishin paraqitur për ata që donin bashkimin e trojeve shqiptare, me përfundimin e Luftës Botërore e me vendosjen e ndarjes së sferave të interesit nga Fuqitë e Mëdha. Kjo doli edhe nga fjala e mospajtimit për një sulm mbi Gjilanin nga ana e Mulla Idrizit, i cili nga një veprim i këtillë shihte pak dobi e shumë dëme nga një veprim i tillë. Ky mospajtim bëri që luftëtarët e kësaj ane të ndaheshin në dy pjesë: me Mulla Idrizin mbetën ata që ishin përkrahës të denjë të tij dhe ata që pajtoheshin me mendimet e tij, kurse pjesa tjetër u bashkuan me Hysen Tërpezën, si komandant dhe u vendosën në Malet e Zhegocit. Por aty ishte vështirë të kalohej koha midis ndjekjeve të vazhdueshme nga serbët, lajmeve për masakra e mizori dhe urisë që i shoqëronte në çdo hap. Për të kaluar situatën, për të treguar se ende ishin gjallë ata që nuk pajtoheshin me robërinë e re serbe dhe për të tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtarë, që të shihte realitetin kosovar, u vendos që të ndërmerrej një sulm mbi Ferizajn, që kishte brenda numër jo shumë të madh serbësh të armatosur. Luftës së Ferizajt i parapriu Kuvendi i Tërpezës, në malet mbi fshatin Tërpezë të Vitisë, të cilin e organizoi dhe udhëhoqi Hysen Tërpeza. Në shkrimet për këtë ngjarje theksohet se Lufta e Ferizajt zgjati tërë ditën e 2 dhjetorit 1944. Ajo ishte një ngjarje madhore e historisë sonë më të re dhe tejet e ndjeshme e të rëndësishme për kohën, pasi tronditi në themele pushtetin, që serbët mendonin se e kishin ngulitur në Kosovë. Sulmi në Ferizaj realisht, nisi në orët e vona të natës së 1 dhjetorit 1944, kur grupe të pararojës së luftëtarëve të lirisë dolën të vëzhgonin e siguronin terrenin, të pamundësonin veprime të shpejta të forcave partizane-çetnike, në rast se hetohej para koha sulmi që po vinte dhe të hynin në pikat kyçe të qytetit, për të këputur lidhjet midis partizanëve që ishin në qytet. Të deleguar të besueshëm shkuan nëpër fshatra dhe lëshuan kushtrimin, të cilit iu përgjegjën me qindra vullnetarë, nga pothuaj të gjitha fshatrat e Ferizajt e të nga disa vendbanime të komunave përreth.
 

Ishte natë dimri dhe luftëtarët nuk ndjenin të ftohtit. Para tyre ishte përleshja me armikun dhe një kthesë e re, për veprimtarinë atdhetare e për jetën e tyre individuale. Hysen Tërpeza, para se të jepte urdhërin e nisjes për të hyrë në Ferizaj, mbajti para tyre një fjalim të shkurtër e frymëzues. Është e ditur se nga malet e Zhegocit, drejt Ferizajt, u nisën rreth 3000 ushtarë,po numri i tyre gjatë rrugës u pakësua dukshëm, për shkak të lodhjes, sëmundjes e frikës dhe kur kishte arritur momenti i realizimit të planit strategjik, të hartuar më parë, shumë pika të tij nuk kishin si zbatoheshin praktikisht, sepse numri i paraparë i luftëtarëve që duhej të ishin në vendet e duhura, nuk ishte i mjaftueshëm. 
Megjithatë, efekti i befasisë funksionoi mirë dhe serbët e kuptuan se po sulmoheshin vetëm pasi pjesa dërrmuese e ushtarëve tashmë kishte hyrë në qytet. Luftimet e drejtpërdrejta me serbët fillojnë ende pa aguar dita e 2 dhjetorit dhe për një kohë të shkurtër forcat shqiptare arrijnë të shtijnë në dorë pika kyçe të qytetet dhe objekte me peshë për të realizuar si duhet sulmin. Por, serbët pas pak kohe e mundin panikun që i kishte kapluar dhe fillojnë të organizojnë mbrojtje, duke luftuar ballpërballë, sepse ishte moment kur vendosej për jetë a vdekje. Forcat shqiptare shënuan suksese më të mëdha në pjesën veriore dhe veriperëndimore të qytetit,duke marrë disa ndërtesa që serbët i kishin shndërruar në pika ushtarake për vete, si shtëpinë e oficerëve, shtëpinë e sotme të Teatrit shkollat afër tyre dhe duke vënë nën konrtoll të vetin edhe kordrinat që e dominonin qytetin nga kjo anë. Viktima të shumta kishte nga të dy anët, por më shumë nga ana e serbëve dhe me futjen në luftime edhe të vullnetarëve e nga fshatrat, gjendja kaloi plotësisht në dobi të luftëtarëve të lirisë. Qindra luftëtarë nga Komogllava, Varoshi, Gremja, Gaçka, Pleshina, Nerodimja, Balajt, Jezerci, Lloshkobarja, Slivova, Kosharja, Rahovica, Prelezi, Mirosala e fshatra të tjera nisën luftimet rreth e rrotull qytetit dhe i detyruan serbët të ngujoheshin në shtëpi e barrikada që kishin ngritur dhe të qëndronin aty, duke qëlluar pa ndërprerje e duke pritur t’u arrinte ndihmë nga qytetet tjera. Luftime të fuqishme u zhvilluan në rrugën e Prizrenit, nga ku tentuan të hyjnë forca partizane që erdhën nga ajo anë, po shumë prej tyre mbetën të vrarë aty, disa u larguan në panikë,kurse luftëtarët e lirisë arritën të kapnin rob disa oficerë të lartë serbë dhe të shpëtonin ideologun e qëndresës, Ibrahim Lutfiun, i cili ishte kapur tradhëtisht nga partizanët e po sillej në Ferizaj për ta pushkatuar.
 

Mirëpo, koha po kalonte, luftëtarët po lodheshin e po plagoseshin e vriteshin, municionet po pakësoheshin, kurse në horizont u dukën njësite partizane, që po vinin të organizuar kundër tyre.
Me ardhjen e ndihmave për serbët, fundi i luftës ishte i qartë, po edhe vendosmëria për të qëndruar ishte e madhe. Deri vonë, u luftua në qendrën e qytetit e në gjithë rrethinën e tij. Forcave partizane-çetnike u erdhi ndihme nga Prishtina, nga Gjilani e Prizreni, nga njësitet e Brigadës 27 serbe, të Brigadës së III-të të Kosovës dhe nga Njësia Elite e Shtabit Operativ partizan. Të gjendur në situate tejet të rëndë, luftëtarët e lirisë morën urdhër të tërhiqeshin pa panikë dhe të drejtoheshin kush ku do të ndjehej më I sigurtë, deri në një urdhër të ri. Kurse partizanët,me ta marrë qytetin, filluan masakrimin e popullates së pafajshme dhe të familjeve me emër, të qytetit e të rrethinës së Ferizajt. Represaljet vazhduan me ditë e muaj të tërë,ashtu si vazhdoi edhe qëndresa e luftëtarëve të lirisë, deri në fund të shekullit të kaluar.
 

Më 3 dhjetor 1944 Ferizaj gdhihet i përgjakur në secilin cep të tij. Njësitë e Ushtrisë Jugosllave, pasi thyen rezistencën në viset periferike, depërtuan në qytet dhe filluan “spastrimin e Ferizajit nga bandat shqiptare!” - duke vrarë shqiptarë të paarmatosur, duke shkatërruar familje e duke zhdukur pa gjurmë qindra veta. Operacionet “për spastrimin e viseve përreth” vazhduan edhe më 4 dhjetor 1944, duke vrarë ose arrestuar çdo shqiptare që takonin, sepse për ta secili shqiptar ishte vetëm nga armik më shumë.

2.
Realisht,shikuar nga të gjitha aspektet, Lufta e Ferizajt është treguese reale e gjendjes së përgjithshme të shqiptarëve,në momentin kur ndodh ajo, por edhe një simbolikë e gjithë historisë sonë, e madhështive dhe dobësive tona të shumta. Ajo nxjerr në dukje mungesën e organizimit të gjithmbarshëm e të mirëfilltë të gjithë kombit rreth një qëllimi të vetëm: bashkimin e trojeve shqiptare dhe funksionim e shtetit kombëtar; ajo shndërrohet në treguese të mungesës së dëshirës, orientimit dhe të funksionimit të hierarkisë së mirëfilltë ushtarake te shqiptarët dhe nxjerr para nesh bajraktarizmin e e ngulitur dhe të trashëguar gjatë shekujve të gjatë të robërisë.
 

Gjithë lufta jonë karakterizihet me moskoordinimin e duhur të forcave të armatosura shqiptarëve në terren dhe me pamundësi për të qenë në në qëllimin e vetëm të luftës: mundjen e armikut dhe vendosjen e fitores. Se ndodh kështu mjafton të përmendim faktin se brenda tre muajsh (dhjetor 1944 – shkurt 1945), në gjysmën e Kosovës zhvillohen tri lufta të ndara: lufta e Ferizajt (2 dhjetor 1944), Lufta e Gjilanit (29 dhjetor 1944) dhe Lufta e Drenicës (shkurt 1945). E përmendim këtë për të treguar se nuk jetohej me realitetine kohës, se nuk kishte hierarki të mirëfilltë ushtarake te shqiptarët që kishin rrokur armët e lirisë dhe se nuk mësohej nga pësimet. Po të kishte një shtab udhëheqës e për luftëtarët e armatosur e po të kishte projekt të mirëfilltë për beteja unike kundër armikut, armiku nuk do ta kishte të lehtë të mbante Kosovën të okupuar, pasojat e shqiptarëve qo të ishin më të vogla dhe përkrahja e opinionit të brendshëm e të jashtëm do të ishte më e fuqishme.Kështu si ndodhi, me tri lufta të shkëputura e lokale brenda dy tre muajsh, iu dha mundësi armikut që të ndërmerrte aksione spastrimi etnik në përmasa të mëdhe dhe deri diku të arsyeshme para botës.
 

Megjithatë, Lufta e Ferizajt dhe qëndresa e vazhdueshme e shqiptarëve të okupuar ka anët e saj shumë të favorshme për rrjedhat e mëvonshme, sepse shërbeu si themel ardhmërie dhe e bëri të pashkëputshme qëndresën kombëtare dhe e bëri të domosdoshëm bashkimin e kombit dhe krijimin një shteti të mirëfilltë e funksional shqiptar.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen